Mërgata voton, "Lugina" vështron!
Edhe pse me një qind e një probleme e parregullsi procedurale, mërgatës kosovare i njihet e drejta e votës, pavarësisht se ata njerëz jetojnë jashtë kufijve shtetëror të Kosovës. Rëndom ndodhë edhe me shtetet e Ballkanit problematik, siç është Serbia për shembull. Madje, kjo e fundit guxon edhe të gjithë procesin zgjedhor ta organizojë brenda kufijve territorial e politik të Kosovës.Shtrohet pyetja se çka ndodhë me shqiptarët e “Luginës”, kur Kosova kalon çastet e fundit para zgjedhjeve të reja nacionale?
Përderisa organizmat politik të Kosovës, e fokusojnë interesin e tyre te mërgata kosovare, që kryesisht jeton nëpër Evropë, për shqiptarët e “Luginës”, të mbetur nën Serbi, shfaqin fare pak interes.
Në këtë kontekst, problemi mbase është më i thellë.
Raportet e Kosovës me “Luginën”, që nga pas lufta, janë sa të brishta aq edhe jo normale.
Për shembull, qytetarët e “Luginës”, që qenë shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, gjatë luftës së fundit, vazhdojnë të trajtohen në Kosovë, si qytetarë të dorës së dytë e të tretë.
Ata edhe sot e kësaj dite, diskriminohen dhe keqtrajtohen nga organizmat e ndryshëm shtetëror të Kosovës. Janë qytetarë pa identitet e pa dokumente identifikuese. Si të tillë, ata edhe nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në Kosovë.
Popullata shqiptare e “Luginës”, nuk kërkon nga Kosova diçka të pamundur. Ajo, me ngulm e shpresë, kërkon nga autoritetet shtetërore e politikat nacionale të Kosovës, që ta ndërrojë qasjen politike në raport me shqiptarët e kësaj ane.
Mbase kjo edhe është e vetmja mënyrë, që kjo trevë etnike shqiptare mos ta përjetojë fatin e shpërnguljes në heshtje.
Agjendat e fushatave zgjedhore, të partive politike në Kosovë, edhe mund ta artikulojnë aty këtu problemin e shqiptarëve të “Luginës”, sa për ndonjë votë, por realisht nuk ka as edhe një tentativë të vetme, sa i përket ideve konkrete politike, për ta zgjidhur në të vërtetë, statusin e shqiptarëve të “Luginës”.
Përveç atyre njerëzve që janë shpërngulur në Kosovë, pas luftës, kryesisht nga zonat rurale të “Luginës”, kursi i shpërnguljes vetëm sa ka shënuar rritje me kalimin e kohës. Të shumtë janë njerëzit, pa perspektivë e të ardhme, që vijnë nga “Lugina”, e të cilët përfundojnë studimet në Kosovë a Shqipëri, e nuk kthehen kurrë në vendlindje. Madje edhe kjo kategori, mezi e integruar në dy shtetet amë, hasë në vështirësi të mëdha të integrimit.
Në vend se, këta njerëz të pajisen nga shteti i Kosovës me nënshtetësi e dokumentacione të identifikimit, pa pasur fare nevojë për dokumente shtesë, ata vazhdojnë të privohen nga këto të drejta elementare njerëzore.
Në këtë rrafsh, Kosova është dashur t’i pajisë tërë shqiptarët e “Luginës” me nënshtetësi. Do t’kishte qenë një potez i mençur politik, për të mbrojtur materien shqiptare në këtë anë, në kohën kur këta banorë ç’regjistrohen nga librat e amzës e iu hiqet nënshtetësia e Serbisë.
Ndërkaq, bisedimet mes Kosovës e Serbisë, “Luginës” nuk i kanë sjellë as edhe një të mirë të vetme, duke mos harruar faktin se çështja e shqiptarëve të “Luginës” as edhe nuk është diskutuar gjatë këtyre bisedimeve.
Në rast se Kosova do të dëshironte të realizonte një reciprocitet të denjë e të barabartë me Serbinë, pos problemeve që i shkakton shqiptarëve të Luginës në këtë kontekst, ajo do t’mund t’i organizojë zgjedhjet add-hock në Luginë. Edhe ashtu, politikanët e Kosovës mbeten shumë të uritur për vota!
Shkruar nga: Drilon Hyseni-Bujanoc